Tuesday, October 9, 2007

“Renato vazhdon të vuajë pasojat e spitalit psikiatrik”

Rrëfimi nga SHBA i nënës së Renato Rapit, djalit që dashuroi vajzën e shkrimtarit i bërë këto ditë, do ndihmojëqë të krahasohet me iontervistën e Janullës bërë para një viti

Janulla: Ju tregoj vuajtjet tona të urdhëruara prej Kadaresë

“Renato vazhdon të vuajë pasojat e spitalit psikiatrik”

Nga Erjon Tase

Janulla Rapi sot numëron plot 62 vjeç, jeton në një pallat modest në lagjen Bronks të Nju Jorkut dhe shqetësimi kryesor i ditës së saj vazhdon të jetë djali, Renato. Djaloshi simpatik i filmave të Kinostudios shqiptare, tashmë është një i sëmurë që jeton me një pension invaliditeti të dhënë nga qeveria amerikane, ndërkohë që vazhdon të vuajë pasojat e torturave dhe mjekimit të detyruar në spitalin psikiatrik të Elbasanit. “Doja të falenderoja Paskal Milon, sepse e kam ndjekur debatin e tij me Kadarenë. Do të doja që Kadare të përballej me mua, por ai gjithnjë i bën bisht kësaj historie”, e nis bisedën e saj në telefon, Janulla. Debati i ditëve të fundit mes shkrimtarit dhe historianit e ka rikthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes këtë ngjarje të hidhur dhe Janulla i ka ndjekur të gjitha nëpërmjet internetit. Nuk e ka patur të lehtë që t’i përgjigjet pyetjeve sepse t’u rikthehet atyre momenteve të dhimbshme nuk është e lehtë, edhe pse plagët e ndjekin nga pas çdo ditë. Në një intervistë të gjatë për Gazetën, Janulla Rapi rrëfen të gjitha vuajtjet që ka pësuar ajo dhe djali i saj për fajin e vetëm të një dashurie me vajzën e familjes Kadare.

- Zonja Janulla, faleminderit që pranuat t’u përgjigjeshit pyetjeve. Mund të na tregoni se si nisën problemet tuaja me drejtësinë dhe Sigurimin?


Debati i ashpër që është zhvilluar ndërmjet shkrimtarit Ismail Kadare dhe historianit Paskal Milo së fundi në Shqipëri më detyroi që t’u përgjigjem dhe të sqaroj të vërtetën mbi këtë ngjarje që përpiqet të fshihet nga Ismail Kadare. Në vitin 1977 më vdiq burri dhe më la dy fëmijë jetimë, djalin 13 vjeç Renaton, dhe vajzën e vogël 3 muajshe. Me shumë sakrifica u mundova t‘i rrisja, t‘i edukoja e t‘i bëja me shkollë. Që nga mëngjesi e deri në darkë, punoja shitëse ushqimore e megjithatë, isha e lumtur me fëmijët e mi. Djali në Liceun Artistik për violinë dhe vajza në shkollën e baletit. Renatoja kishte pasur dhe një talent tjetër të fshehur, aktrimin. Kinostudioja e zgjodhi për të luajtur në disa filma si:”Gunat përmbi telat”, “Tinguj lufte” dhe “Mësonjëtorja”. Ështe pikërisht ai djaloshi i pëllumbave, që në skenën e filmit vritet nga turqit, për të mbrojtur mësonjëtoren. E megjithatë, violina, filmi dhe dashuria do të shënonin çastet e bukura të jetës së Renatos, e më pas për të dhe për mua do të vijonin vuajtjet dhe shkatërrimi. Fati ynë i keq ishte se ne jetonim shumë afër me shtëpinë e Kadaresë. Një ndenjë dashurie e pastër, për të cilën Renatoja, në moshën 18 -vjeçare do të provonte rrahjet, torturat psikologjike, internimin, burgimin dhe së fundi, mbylljen në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit me kurë të detyruar, ku qëndroi për një kohë të gjatë. I vetmi faj i tij ishte se dashuroi vajzën e Ismail Kadaresë. Është një histori me shumë detaje, sa me to mund të shkruash një film ose roman, që ia kalon dhe tragjedive të Shekspirit. Më vjen keq, se ndjej dhimbje për gjithçka të padrejtë që më është bërë. Unë isha e pafuqishme, kurse ai, shkrimtar i madh, deputet, nënkryetar i Frontit, etj. Ismail Kadareja u ngrit në sferat e larta ku, zgjuarsinë e ktheu në dinakëri të zhdërvjelltë, vullnetin në egërsi bishe, ambicien me cinizëm dhe moralin, në mirësjellje formale. Kur mori vesh dashurinë e vajzës së tij me djalin tim, u bë si bishë, por ishte tepër vonë, sepse kishte në mes një shtatzani.

- Mund të na shpjegoni si nisën problemet për ju?


Gjithçka filloi në një nate dimri. Kisha derdhur në arkë, lekët e dyqanit dhe po kthehesha në shtëpi, ku gjeta Gresën me djalin tim, të ulur në divan dhe rrinin shumë të mërzitur. “Çfarë keni mo Renato, më thoni çfarë ka ndodhur?”. Unë isha mësuar me ta, se ajo vinte shumë herë dhe i gënjente ata, duke iu thënë se do të fle te shoqja e ngushtë, më duket, në mos gaboj, te Majlinda Turdiu. Epo më në fund Gresa tha: “Thuaja ti sat`ëme!”. Më dha numrin e telefonit të shtëpisë së saj dhe unë shkova direkt tek hotel “Peza”, t’i telefonoja Helenës, të vinte e të bisedonim si nënë që ishte për këtë hall. Erdhi menjëherë me një shall të bardhë, që kishte mbuluar gjysmën e fytyrës, e enjtur nga heqja e një dhëmballe. Kur mori vesh për gjendjen e vajzës dhe kur pa konditat tona të shtëpisë që nuk i pëlqyen, u ngri në vend, megjithatë, ajo më tha mua: “Hajde nesër në shtëpi të bisedosh me Ismailin, se ai është babai dhe ai vendos për gjithçka”. Ashtu e lamë, unë do të shkoja të nesërmen kur do mbaroja nga puna. Por pas asaj nate, filloi skenari i përgatitur prej tyre dhe për mua e tim bir rodhën ngjarje të tmerrshme.

- Në akuzat që ngriti hetuesia ndaj jush thuhet se patët një grindje në shtëpinë e Kadaresë?


Kur arrita, derën e hapi Ismaili, atje gjeta një shoqe të Helenës, Lili Zhejin, një punonjës të Ministrisë së Brendshme, Vladimir Meçen dhe Helenën. Ismaili, në fillim më futi në dhomën e tij të punës. Menjëherë sa hyje, të binte në sy një fotografi e madhe, ku kishte dalë ai me Enver Hoxhën dhe vajzën e tij Gresa. Filloi duke thënë i qetë se e mori vesh këtë histori dhe kishte biseduar me vëllain e tij, Shahinin që ishte mjek, se kishte mundësi që mos të kishte ndodhur shtatzania. E shikova një herë dhe mendova, se çfarë mashtruesi kisha përpara. Ia ktheva përgjigjen duke i thënë: “Shko o Ismail! E di që për ju është e rëndë, por ata janë të rinj dhe do ta ndërtojnë jetën e tyre më së miri, në qoftëse i ndihmoni dhe ju”.Sa i thashë kështu, u egërsua e më shikonte si një bishë e egër. Në këtë kohë hyn Helena dhe më merr në kuzhinë. Vladimir Meçja, një servil i regjur, nis duke më bërtitur e duke më thënë: “Po ti moj, do të bësh krushqi me Ismail Kadarenë, që e njeh gjithë bota, mos harro se je mbesë kulaku, një dajë të burgosur në Burrel 25 vjet, një tjetër të arratisur,… ik moj qërohu! Ke dhe surrat të flasësh me Ismail Kadarenë; lëreni rehat të shkruajë materialin që i duhet për pleniumin!”. Fillova t’i përgjigjesha se vërtet isha mbesë e kulakut, i cili me pasurinë e tij ndihmoi luftën Nacionalçlirimtare, një dajë i arratisur me emrin Leonidha Gjoni, iku se ligji partizan, me urdhër të Mehmet Shehut (mik familjar i Kadaresë), atë natë do ta pushkatonte, për të vetmen arsye që nuk la të dilte partizane të fejuarën, Eftiqi Zaho. Ndërsa tjetri që ishte në burg, vetëm se i tha një mikut, i cili ishte spiun: Unë në ato kohë përpara bridhja me kalë në këto fusha.

- Si rrodhën ngjarjet në këtë takim të parë në shtëpinë Kadare?


Mbas gjithë këtyre debateve, bie zilja e telefonit dhe i nderuari Ismail më thotë: “Merre pak telefonin se është për ju.” Ishte një farë Neshat Tozaj dhe me një dialekt lab të egërsuar më tha: “Do ikësh andej moj prostitutë, apo të dërgojmë policinë të të nxjerrë përjashta”. O Zot, thashë, çfarë tmerri dhe deri ku arrin kjo kulturë e këtyre njerëzve që mbahen intelektualë të mëdhenj, që në publik ishin aq të respektuar dhe anasjelltas, me mua po silleshin me skenarë të turpshme si harbut, e kriminelë të regjur. Megjithatë, u bëra gati për të dalë kur u hap dera, u vërsulën nja 6 a 7 policë e duke më tërhequr prej krahu me forcë, me ato duar prej hekuri duke më thënë: “Do vish në polici me ne. Je e arrestuar se ke hyrë me zor në shtëpinë e deputetit Kadare”.“Ore njerëz, a jeni në vete për këto që thoni, ky bashkë me të shoqen më ftuan në shtëpi, ej”. Por dhe mua më hipi gjaku në tru nga dhimbja e krahëve që më tërhiqeshin sikur të isha një kafshë, por as donin t’ia dinin. Me shkelma e grushte më nxorën dhe nëpër shkallë ku më mbeti njëra këpucë ju thashë: “More Ismail Kadare, o kriminel, o mik i Mehmet Shehut e Enver Hoxhës që ke në duar gurin dhe arën.” Njerëzit e komshinjtë si Dritëro Agolli, besoj se e kanë dëgjuar dhe parë nga penxheret gjithë këtë skandal?!Ismaili më përgjigjej: “Vazhdo, vazhdo të shikosh se ç’do të bëj.” Më mbajtën në rajon të policisë numër 3 gjithë natën, duke më bërë presione: “Ti, një copë shitëse kërkon të bësh krushqi me I. Kadarenë. Po vazhduat do shikosh se ç’do t’ju bëjmë, burg ose internim do të keni. E more vesh.” E bjer ku të dhemb. Në mëngjes më liruan, shkova në shtëpi, u përqafova me fëmijët e mi, të cilët dhe ata tërë natën s`kishin fjetur. Po pas kësaj nate, pasojat erdhën aq të rënda, e tani që po i kujtoj më dridhen duart që po i shkruaj….
Enveri më hoqi dënimin: Nuk ka pse të vuajë nëna.

- Dje na treguat për incidentin në shtëpinë e Kadaresë. Çfarë pasojash patët?


Dy ditë pas atij takimi në shtëpinë e Kadaresë më erdhi thirrja për në gjyq, ku akuzohesha se kisha dhunuar banesën e deputetit dhe shkrimtarit të madh. Kadare, do të përdorte kundër nesh jo vetëm emrin, por dhe miqtë e tij me pozitë, duke filluar që nga drejtori i Policisë së Tiranës, Hajredin Shyti, Komiteti i Partisë, e deri tek ministri i Brendshëm, Hekuran Isain, për të përfunduar në majën më të lartë të shtetit shqiptar, tek çifti Hoxha. Akuza që më bëhej ishte ajo e “fyerjes” së deputetit. Më dënuan me punë korrektore për 11 muaj, duke më mbajtur gjysmën e rrogës. Kadare kishte urdhëruar që të më fusnin në burg, por shpëtimi më erdhi nga një letër që i drejtova Enver Hoxhës. I shkruajta se çfarë po më bënin mua vetëm sepse isha nëna e Renatos, djalit që dashuronte me gjithë zemër vajzën e Kadaresë dhe pas kësaj ai ndërhyri. Duke e parë se ishte një dënim i padrejtë, Enver Hoxha i dha urdhër Aranit Çelës, kryetarit të Gjykatës, dhe ai e uli dënimin në 3 muaj. Kështu u ktheva prapë në punë, në dyqanin ushqimor ku unë punoja. Por Ismail Kadareja nuk u kënaq me kaq. Djalin ma përjashtuan nga shkolla, ndërsa e thërrisnin në polici e në hetuesi herë pas here, duke e sharë edhe para vajzës, të dashurës së tij. E rrihnin në mënyrë të pamëshirshme dhe me fjalët më banale: një këmbë ia vinin në bark me ato këpucë që i mbanin me gozhda, e me këmbën tjetër i binin në kokë, duke e gjakosur. “More rrugaç, do heqësh dorë ti nga kjo vajzë, apo do që të të bëjmë të vdekur”. Vajza e shikonte dhe vetëm qante, duke thënë: “Nuk më vjen më zor, se unë e dua!”.- Pra dashuria mes dy të rinjve vazhdonte ende edhe pas kësaj situate të rënduar?Hetuesi “privat” i Kadaresë, Riza Icka, i thoshte gjithnjë vajzës së Ismailit: “Thuaj që Renatua më ka kapur me zor!”. Por ajo nuk e pranonte një gjë të tillë. Ata duheshin aq shumë, sa thurnin ëndrrat e tyre për të ardhmen. Një natë, Renaton e rrahën aq shumë, sa e mbajtën nja 3 ditë në rajon pa ndjenja, e thoshin: “Në qoftë se vdes, do thoni që i ra murit vetë me kokë”. O Zot çfarë ka hequr ky djalë! Nuk mund ta harroj ditën që djali ruante pas derës së shtëpisë së Kadaresë sepse kujtoi se e rrihnin vajzën, por dëgjoi që ai i bërtiste dhe i thoshte: “Ti nuk ke për ta parë më atë djalë, se ne do t’i internojmë si familje”. Hetuesi Icka, e pa Renaton dhe ata e morën prapë në polici. Duke vazhduar të rrahurat, i thanë se do të na internonin dhe do të na zhduknin. Djali erdhi atë natë në shtëpi dyllë i verdhë dhe me shenja. U mbyll në dhomën poshtë, ku rrinte gjithmonë me të dashurën e vet dhe piu ilaçin e “Flibolit”, që mbanim për mizat. E pashë që u vonua dhe shkova poshtë, por ç’të shihja...? I dilte shkumë nga goja. Erdhi ambulanca dhe e mori. Mendova në ato momente se Renaton nuk do ta shihja më. Ashtu e egërsuar me dashurinë e nënës për djalin, i shkova në shtëpi Kadaresë. I rashë derës dhe më doli Helena dhe hetuesi Rizai: “Ta dish o Ismail Kadare, - i thashë, - më vdes djali sonte, unë po s’ta vura benzinën që të habitet bota!”. Helena më mori pak mënjanë që të më qetësonte. Më tha se dhe ajo kish vrapuar mbas vajzës për ta ndaluar që të hidhej nga taraca. Më shkoi mendja te tragjedia e Shekspirit. E paskan vendosur dhe bërë me fjalë që të dy të vdisnin. “Mos u mërzit, - thoshte Helena, - se ne nuk i kemi bërë gjë Renatos”. Me shumë edukatë, që më dukej shumë falso, më tregoi se vetë ajo, i kishte vajtur në zyrë Hekuran Isait, duke i thënë që të na burgosnin e jo të na internonin. Ç’ironi!

- Si rrodhën ngjarjet deri në internimin tuaj?


Duke qenë se u bë bujë nga kjo ngjarje, Kadareja i shkruajti një letër Nexhmijes dhe Enver Hoxhës, duke denoncuar me shpifjet nga më të ndryshme. Mesa kam marrë vesh shkruhej deri se “kjo familje më shqetëson, se unë dua të përgatitem të shkruaj për në Kongres e nuk mundem të shkruaj për Partinë”, etj, dhe në fund, “kërkoj ndihmë nga ju”. Kështu, ata kaq deshën, sa të thoshte Enveri: “Të shikohet kjo çështje!”Foto Çami bashkë me Hekuran Isain dhe Manush Myftiun, që në atë kohë firmoste për dëbim-internimet, vendosën të na internojnë me pretendimin se nuk e linim të qetë shkrimtarin e madh Kadare. Në orën 5 të mëngjesit, më datë 26 Prill 1984, e gjithë rrugica u rrethua me policë, me njerëz civilë të hipur në makinë me rimorkio dhe nja 7 a 8 gaza të Ministrisë së Brendshme. Shpejt e shpejt, sikur të ishim si në kohën e skllevërve, na futën në një makinë të madhe me gjithë rimorkio. Në derë hynë tre persona bashkë me kryetarin e Frontit të Lagjes Nr.4. Lexuan urdhrin e internimit për 5 vjet në Kosovë të Lushnjës, ku atje ishte dhe burgu i grave të Shqipërisë. Nga ai tmerr, vajza ime që atëherë ishte 7 vjeçe, akoma dhe sot në gjumë i del një psherëtimë, kurse Renato gjithmonë hesht; nuk do t’i kujtojë më ato tmerre që hoqi. Në internim pamë shumë gjëra, të internuar që kishin dhe 40 vjet. Të gjithë na u afruan më vone, se në fillim kishin frikë; familja e Xhevdet Mustafës, familja e Tefta e Vera Dumes, familja Urani, familja Leka, kunata e Mehmet Shehut dhe familja e Ali Ohrit. Dëshira Ohri, e cila na ndihmoi në mënyrë të jashtëzakonshme, të paktën çdo të shtunë na vinte ujë në zjarr të laheshim, se do të kishim marrë ndonjë sëmundje, pasi një copë kasolle ku na futën; pa ujë, pa banjë e minjtë na vinin natën nga penxherja.

- Patët probleme e Sigurimin gjatë këtyre viteve të internimit?


Mbaj mend një episod kur dy spiunë të Degës së Brendshme të Elbasanit bënë sikur e njihnin Renaton në lice, e sikur iu vinte keq për të. Një ditë i kishin thënë: “Renato, nuk mund të jetohet këtu, e di ç’ke? Hajde me ne, se dhe ne e urrejmë këtë regjim, do shkojmë në Jugosllavi se atje kam një dajë gjeneral në UDB. Po të duash merr dhe mamanë!”, e shumë gënjeshtra të tjera. “Mirë, - u tha Renatua, - po shkoj t’i them mamasë”. Sa hyri, më tha: “Filluan provokimet e më duket se do të na futin në burg”. -Rri brenda, se vete e ua them unë përgjigjen! - Dal dhe nja 50 metra më poshtë, në një rrënjë ulliri po prisnin ata të dy. Gazi i Elbasanit po vinte me nja 2 civile brenda. Fillova duke iu bërtitur e duke iu thënë: “Kush ju ka futur të na provokoni more maskarenj!,- Vazhdova duke u thënë: “Çoni fjalë atij Kadaresë, se nuk na e prish mendjen jo, a morët vesh.” E çfarë t’i kujtojmë atij internimi të mallkuar! Punonim të 7 ditët e javës pa pushim, që nga mëngjesi në orën 6 e deri në darkë. Renatua, rrëshqiti nga çizmet e llastikut, nga maja e kodrës. U vra në këmbë derisa iu infektua e do t’i bëhej gangrenë sepse nuk e merrnin as ta mjekonin apo ta çonin në spital në Elbasan, por e lanë të vuante. Edhe sot e ka kujtim nga ai internim shenjën që nuk i hiqet kurrë. Njerëzit atje ishin shumë të mirë dhe e ndihmuan me ilaçe popullore. Mbasi bëmë gjysmën e dënimit, i shkrova letër drejtoreshës së ligjeve në Kuvendin Popullor z.Liri Gjoliku, e cila bashkë me Ramiz Alinë na ndihmuan të na lironin. “Ky internim, - tha Ramiz Alia, - është bërë i njëanshëm, sepse familja Kadare dhe familja Rrapi kishin një çështje të përbashkët”. Nuk do të thotë që të gjithë komunistët të ishin të këqij. Unë dhe sot kam respekt për disa që e kanë shikuar çështjen time me drejtësi si, Guro Zeneli, Zef Loka, Jorgo Dhrami apo Drita Xhillari, e shumë të tjerë. Kur u kthyem nga internimi, menduam se u liruam dhe s’do të kishim më pasoja, por makina e persekutimit, nuk harroi të përgatiste tjetër skenar, një skenar që ishte i fundit për ne e shumë tragjik.

- Çfarë ndodhi pas kësaj ndërhyrjeje të Ramiz Alisë?


Nuk na jepnin shtëpi dhe nuk na bënin pasaportizimin që të rrinim në Tiranë. Vinte policia prapë dhe na vinte afat që të largoheshim. Kadareja, i frikësuar se mos vajza e tij vazhdonte me Renaton, i kurdisi prapaskena bashkë me hetuesin e tij “privat”. Kërkesës sime për të qëndruar në Tiranë, Nexhmije Hoxha, nëpërmjet sekretares, Hejdije Xhango, m’u përgjigj: “Dhe atje njerëz jetojnë, prandaj shkoni prapë atje!”. I zura derën edhe Kryeministrisë dhe me firmën e Adil Çarçanit u ndihmova që të rrinim në Tiranë, por djalit iu mohua e drejta të shkonte në Konservator, se thoshin që nuk i takon, se ka qenë i internuar. Nuk kaloi shumë kohë dhe Renatos ia shpikën një akuzë për ta larguar sërish nga Tirana. Një denoncim se gjoja ai mbante thikë me vete dhe kërcënonte familjen Kadare mjaftoi që djali të mbyllej në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, me kurim të detyruar për një kohë të gjatë. E shkatërruan me doza të larta aloperdoli dhe me elektroshok. Mbase donin t’ia hiqnin kujtesën, që mos të mendonte më për vajzën e Kadaresë. Edhe sot e kësaj dite Renatoja është gjallë, por me çdo ndjenjë të vdekur. Pasojat po i vuaj ende dhe sot me djalin e sëmurë dhe me shtëpinë në Tiranë që ende nuk e marr dot. Shpresoj të paktën që kryeministrit z.Sali Berisha të më ndihmojë me gjyqet që kam në gjykata për kthimin e pronave.

- Në fjalët tuaja ka ende shumë zemërim për Kadarenë. A do ta falnit, pas kaq shumë vitesh?


Ai nuk ka dashur të përballet asnjëherë me mua. Nuk di ç’të them mor bir. A do ta falja?!... Nuk e di...

2 comments:

said...

Emri im është loana dhe jam këtu për të falënderuar DR DAWN për ndihmën e tij për të shpëtuar marrëdhënien time. I dashuri më la sepse isha i matur dhe e kam luftuar disa herë për shkak të pasigurisë, duke mos e parë kurrë pranë asnjë zonje tjetër. Nuk mund të gjeja një mënyrë më të mirë për ta bërë atë të kthehej tek unë dhe DR DAWN erdhi në shpëtimin tim. Kur e kontaktova, ai më tha gjithçka që duhej të dija se si do të rikthehet dashuria dhe lidhja mes meje dhe burrit tim. Unë u binda dhe ai e bëri punën pa hezitim dhe menjëherë pas 48 orësh më thirri i dashuri. Jam e lumtur dhe plot jetë për shkak të mirësisë së DR DAWN. I bëj thirrje kujtdo që ka probleme të kontaktojë me të tani dhe ai me siguri do t'ju ndihmojë.
dawnacuna314@gmail.com
Whatsapp: +2349046229159

. said...

Faleminderit Dr DAWN që më ndihmove të kthej të dashurin tim me magjinë tënde të dashurisë, jam shumë i emocionuar që po jetojmë të lumtur së bashku tani me të vërtetë magjia jote e dashurisë është 100% garanci dhe nuk ka efekte anësore. Shikuesit atje, nëse po kaloni probleme në marrëdhënie, ju këshilloj të kontaktoni Dr DAWN për magjinë e tij të dashurisë. Ju siguroj se magjia e tij e dashurisë mund të rregullojë marrëdhënien e prishur dhe problemin e kotësisë sa hap e mbyll sytë. Këtu është emaili i tij i detajeve: dawnacuna314@gmail.com ose WhatsApp: +2349046229159